Hetimi tronditës i gjykatës amerikane: FBI keqpërdori të dhënat 278 mijë herë

Një gjykatë amerikane ka zbuluar se Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në mënyrë të parregullt ka kërkuar informacione nga një bazë e të dhënave kombëtare të agjentëve të inteligjencës së huaj 278 mijë herë gjatë disa viteve, duke përfshirë informacione për amerikanët e dyshuar për krime, thuhet në vendimin e gjykatës.

Vendimi është dhënë nga Gjykata për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Informative të Huaja dhe është publikuar nga Zyra e Drejtorit të Shërbimeve Informative Kombëtare (ODNI).

FBI ishte e interesuar për ndikimin e mundshëm të huaj në ngjarje të caktuara, siç janë trazirat në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021 dhe pas protestave të vitit 2020 për vrasjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, tha gjykata.

Baza e të dhënave të inteligjencës mbledh informacione dixhitale dhe të tjera për individët, shkruan washingtonpost.

Seksioni 702 i amendamentit të vitit 2008 në Aktin e Mbikëqyrjes së Inteligjencës së Jashtme (FISA) të vitit 1978 legalizoi një program sekret përgjimi, të autorizuar nga administrata e George Bushit, duke lejuar agjencitë e inteligjencës amerikane të monitorojnë mesazhet e huaja të dërguara përmes rrjeteve amerikane, si Google.

Megjithatë, gjykata konstatoi se FBI-ja ka shkelur rregullat e FISA-s, veçanërisht gjatë hetimeve penale midis 2016 dhe 2020, sepse, siç thekson, “nuk kishte asnjë arsye racionale për të pritur të gjente prova të krimeve ose të punës së inteligjencës së huaj. Edhe pse FBI besonte se kishte një bazë për një gjë të tillë”. /Telegrafi/

 

MARKETING