Osmani: Kryetarët në veri të betohen brenda afatit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media, gjersa ka folur për betimin e kryetarëve të komunave veriore, ka thënë se pret që të gjitha procedurat të shkojnë pa problem dhe pa tensione.

Sipas saj, zgjedhjet në veri u mbajtën sepse ashtu e kërkon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.

Po ashtu, Osmani ka thënë se tashmë kryetarët e komunave janë të obliguar që të bëjnë betimin brenda afateve të caktuara ligjore.

E para e shtetit ka shtuar se tani është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të punojnë me qytetarët që jetojnë në këto katër komuna dhe t’i bindin ata se të gjitha projektet janë në interesin e tyre.

“Siç e dini, zgjedhjet janë mbajtur për shkak se Kushtetuta jonë dhe legjislacioni në fuqi kërkon që të mbahen zgjedhjet sa herë që një kryetar komune jep dorëheqje. Ajo që e ka krijuar këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish-kryetarëve të komunave veriore. Në këtë situatë ne kemi pasur obligime kushtetuese dhe ligjore dhe institucionet e sigurisë kanë bërë çmos që dita e zgjedhjeve të shkojë pa asnjë problem”, ka deklaruar ajo, raporton EO.

“Tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël, ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”, ka thënë tutje ajo.

Osmani ka thënë se projektet ekonomike i fuqizojnë kryetarët e rinj, pra “secili veprim është për të mirën e qytetarëve dhe jo të kundërtën, dhe ne presim që të gjitha këto procedura të shkojnë pa ndonjë  problem dhe pa ndonjë tension”, ka thënë ajo.

Sipas saj, bojkotimi i zgjedhjeve nga qytetarët serbë ishte kundër vullnetit të tyre dhe ishte iniciuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq dhe është zbatuar nga strukturat ilegale në veri.

“Bojkoti i qytetarëve serbë atje nuk ka qenë vullnetar, ka qenë bojkot i detyruar, i cili është nxitur nga Vuçiqi në Serbi dhe është zbatuar nga strukturat e tij ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës, të cilët vazhdimisht kanë frikësuar, shantazhur dhe kërcënuar qytetarët serb në veri”, ka shtuar ajo.

Këtë të premte u betua para Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar. Atiq fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave.

Ai në këtë seancë betimi e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.

Pas betimit, Atiq para mediave ka thënë se do të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Atiq në një deklaratë për media pas betimit.

Por, tre kryetarët e tjerë të rinj të tri komunave në veri nuk do ta bëjnë betimin të premten.

Në Komunën e Leposaviqit, kryetar i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale në Kosovë, janë 30 ditë afat pasi certifikohen zgjedhjet për kryetarë të komunave, deri kur kryetarët duhet ta bëjnë betimin para Kuvendit Komunal për të marrë detyrën. Përndryshe humbasin mandatin.