Një grup grash nga Mitrovica e Veriut u mblodhën para ndërtesës së Komunës në shenjë proteste



Autori: Gazeta inFokus


12:49 | 19 May 2023

Para ndërtesës së komunës së Mitrovicës së Veriut, rreth 30 banorë, kryesisht gra, u mblodhën në një protestë paqësore kundër marrjes së pushtetit lokal nga kandidati fitues i zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill, në të cilat votuan pak më shumë se tre për qind e votuesve, në mesin e tyre vetëm 13 serbë, raporton Kosovo-Online.

Siç deklaruan të tubuarit, synimi i tyre është të shprehin “mospajtim paqësor, civil dhe demokratik për marrjen e paligjshme të Komunës”.

Siç dihet, në komunën e Mitrovicës së Veriut, sot bëri betimin kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, i cili në zgjedhje ka marrë 553 vota.
Para se të fillonte procedura e betimit, flamuri i Kosovës ishte vendosur në ndërtesën e komunës.

Në Mitrovicën e Veriut është shtuar prezenca e policisë, ndërsa Misioni i EULEX-it ka deklaruar online se e kanë ngritur nivelin e gatishmërisë dhe se forcat e tyre janë në gatishmëri 24 orë në ditë dhe janë të gatshme për reagim të shpejtë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha dje se pret që kryetarët e komunave në veri të marrin një rol teknik dhe jo politik dhe theksoi se përdorimi i forcës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri nuk është ide e mirë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar më herët se situata në veri është shumë e tensionuar dhe ka thënë se “kryetarët e rremë në Komunat veriore nuk do të pranohen kurrë”.