Rifillojnë përleshjet në Sudan pavarësisht bisedimeve për armëpushim





Përleshjet e ashpra kanë rifilluar midis ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), pavarësisht bisedimeve të tyre për armëpushim në Arabinë Saudite, raporton Anadolu.

Sipas dëshmitarëve, përleshje të armatosura u raportuan në lagjen al-Shaqilab në jug të kryeqytetit Khartoum dhe në lagjen Karari në qytetin Omdurman.

Forcat e dy rivalëve ushtarakë u përleshën edhe në perëndim të urës Halfaya, e cila lidh qytetet Omdurman dhe Bahri në veri të kryeqytetit Khartoum.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima.

Dhuna erdhi derisa bisedimet midis përfaqësuesve të ushtrisë sudaneze dhe RSF-së vazhduan në qytetin saudit Jeddah për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre.

Sipas mjekëve lokal, që nga fillimi i luftimeve më 15 prill të paktën 832 civilë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Mosmarrëveshja midis ushtrisë dhe RSF-së erdhi muajve të fundit mbi integrimin e RSF-së në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria rrëzoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në një lëvizje që nga forcat politike u quajt “grusht shtet”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht të vitit 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.