Putin dhe Zelensky ranë dakord të takohen me misionin e paqes të liderëve afrikanë





Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa deklaroi sot se presidentët e Rusisë dhe Ukrainës kanë rënë dakord të diskutojnë një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me një delegacion të krerëve të shteteve afrikane në takime të veçanta.

Gjatë fundjavës, Ramaphosa foli me telefon me presidentin rus, Vladimir Putin dhe homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilët i thanë atij se do të presin liderët afrikanë në Moskë dhe Kiev.

Misioni i paqes do të përfshijë, përveç Ramaphosas, edhe presidentët e Zambisë, Senegalit, Kongos, Ugandës dhe Egjiptit, u njoftua nga zyra e kreut të Afrikës së Jugut, raporton reuters.

Në njoftim thuhet se Putin dhe Zelensky dhanë dritën jeshile për fillimin e përgatitjeve për takimet, por pa informacion shtesë për parametrat e mundshëm të bisedimeve.

Zelensky ka thënë më parë se nuk do të konsiderojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës derisa forcat ruse të tërhiqen plotësisht nga territori ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është informuar për takimet e planifikuara të delegacionit afrikan dhe mirëpret nismën e tyre. /Telegrafi/