Edhe Supremja e refuzon kërkesën e mbrojtjes, mbetet ende në paraburgim Nagip Krasniqi

Gjykata Supreme, të mërkurën, ka vendosur ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes së kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) tashmë të pezulluar, Nagip Krasniqi, për lirimin e tij.

Ky vendim vjen pasi Supremja e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Ndryshe, më 8 maj, Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Krasniqit nga paraburgimi, kështu duke e lënë atë ende në paraburgim.

Gjykata Themelore vlerëson se ekziston dyshimi se Nagip Krasniqi prej vitit 2022 e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ku më 26 janar të këtij viti ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Tutje, thotë se Gjykata ka gjetur se gjatë vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën, pasi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, më 28 mars, ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit në emër të tenderit “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.

Ndërkaq, mbrojtja pretendon se i pandehuri ka vepruar konform dispozitave të përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik.

Lexo edhe: Apeli refuzon kërkesën e mbrojtjes, mbetet ende në paraburgim Nagip Krasniqi