(VIDEO) Katica Janevska nuk falet nga presidenti Pendarovski





Kryetarja e ish- Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva, ish-kryetari i Gjykatës Penale në Shkup, Vlladimir Pançevski dhe biznesmeni Sead Koçan mbeten në burg, pasi presidenti Stevo Pendarovski ua refuzoi kërkesën për falje. Vendimet pritet të nënshkruhen këto ditë, kështu që për momentin bien në ujë tentativat e tre të dënuarve për të shkurtuar dënimin me burg.

Kërkesat kanë kaluar të gjitha filtrat ligjorë brenda sistemit të burgjeve dhe më pas javët e fundit janë shqyrtuar nga Komisioni i Presidentit për Faljen, që është organ këshillor. Ai ia dorëzon atë listë propozimesh Presidentit, i cili ka fjalën e fundit. Nga Zyra e Presidentit thonë se edhe Komisioni ka dhënë mendim negativ për kërkesat për falje. Përveç këtyre tre emrave të njohur, ulje të dënimit me burg kërkuan edhe dhjetëra të dënuar të tjerë. Nga Zyra e Presidentit sqarojnë se në adresën në Villa Vodno kanë mbërritur mbi njëqind kërkesa.

Biznesmeni Sead Koçan u përpoq të ulë dënimin me burg në vitin 2021, por ai u refuzua edhe atëherë. Janeva u dënua me shtatë vjet burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar si prokurore publike speciale në aferën “Zhvatja”. Siç është raportuar së fundmi në media, ajo punon si bibliotekiste në burgun “Idrizovë” dhe shfrytëzon beneficione tjera që i ofron sistemi i burgjeve. Aktgjykimi për rastin “Zhvatja” është shqiptuar më 18 qershor 2020. Janeva u dërgua në burgun e Idrizovës më 23 korrik 2021. Ish-kryetari i Gjykatës Penale – Shkup, Vladimir Pancevski, nga 3 shkurti 2022 është duke vuajtur dënimin me 2,5 vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/