Power: Gjendja në veri shumë delikate, serbët të kthehen në institucione

Administratorja e USAID-it, Samantha Power, pas vizitës së saj në Kosovë, ka thënë se gjendja në veri nuk duket të jetë stabile.

Power ka bërë thirrje që serbët që dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës të kthehen në pozitat e tyre, pasi sipas saj, kjo do t’ua përmirësonte jetën qytetarëve.

“Siç është shpesh rasti kudo në botë, politika dhe siguria janë të ndërlidhura në mes veti. Qartazi, serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione sepse kjo do t’ua përmirësonte jetën qytetarëve, do t’i përmirësonte shërbimet, do të përmirësonte ndjenjën e të qenit të përfaqësuar”, deklaroi ajo në ATV.

Power po ashtu kërkoi që të mos ketë provokime nga asnjëra palë, pasi thotë se situata në veri të Kosovës mund të degradojë.

“Nga ana tjetër, edhe stabiliteti është i rëndësishëm, në kuptimin që nuk duhet pasur elemente të armatosura që i provokojnë njerëzit në çfarëdo mënyre. Unë mendoj se është një kohë shumë delikate ku një sitatë e ngrirë mund të “shkrihet” në mënyra që mund të dëmtojnë përparimin e arritur”, tha tutje.

Rëndësia e ruajtjes së stabilitetit, sipas saj, qëndron në faktin se stabiliteti në Kosovë është i rëndësishëm për progress politik.

“Prapë, ka të bëj me atë që kur të kthehem në SHBA dhe të takoj liderë të biznesit të mund t’u them se Kosova është një vend i hapur për biznes, shikoni se çfarë reformash kanë bërë, shikoni ankandin për energji diellore që sapo e shpallëm. Pra, është me rëndësi që të ruhet stabiliteti gjatë kohës që po përpiqemi të arrijmë progres politik, por ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese”, deklaroi Power.