Liderët botërorë urojnë presidentin Erdoğan për zgjedhjet





Liderët e vendeve të ndryshme të botës kanë përgëzuar presidentin e Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan dhe Aleancën Popullore për marrjen e shumicës së votave në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së Zyrës Presidenciale të Uzbekistanit, Mirziyoyev e ka telefonuar Erdoğanin dhe ka uruar për suksesin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Në bisedën telefonike, Mirziyoev tha se rezultatet e zgjedhjeve janë tregues i mbështetjes së gjerë të popullit vëlla të Türkiye-s për ndryshimet politike dhe reformat ekonomike nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan.

Gjatë bisedës, liderët diskutuan për çështjet që lidhen me partneritetin strategjik midis Uzbekistanit dhe Türkiye-s dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit shumëpalësh si dhe shqyrtuan çështjet që lidhen me përgatitjen për takimin e ardhshëm të Këshillit të Partneritetit Strategjik të Nivelit të Lartë.

Në deklaratën e Presidencës së Azerbajxhanit thuhet se Aliyev e ka telefonuar Erdoğan-in dhe i ka përcjellë urimet e tij.

Aliyev theksoi se Türkiye nën udhëheqjen e Erdoğan-it ka përjetuar përparim të madh dhe si manifestim i kësaj, populli vëlla turk edhe në këto zgjedhje ka treguar besimin tek lideri i tij.

Erdoğan falënderoi gjithashtu Aliyevin për interesimin dhe urimet e tij.

Gjatë bisedës, liderët theksuan edhe një herë se miqësia dhe marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve janë të përhershme dhe të palëkundura.