Sulmohet kryebashkiaku i Kolonjës, simpatizanti i “Bashkë Fitojmë” shoqërohet në polici



Autori: Gazeta inFokus


09:16 | 14 May 2023

Mediat raportojnë se është sulmuar kandidati i PS-së, Erion Isai, gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD-së pranë fshatit Qinam.

“Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Nuk ka pasur ndërhyrje nga shoqëruesit e Isait por është njoftuar policia e cila ka shoqëruar agresorin. Është shoqëruar nga policia Esmerald Kacolli”, shkruan Tch.

Mbi ngjarjen e ndodhur në mesnatë në Kolonjë, ku u dhunua kryetari i bashkisë Kolonjë Erion Isai, nga informacionet e para bëhet me dije se kryebashkiaku ka qenë në Qafëzezë duke u kthyer në banesën e vet, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ethem Lumani së bashku me disa simpatizantë të opozitës kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar Isain.

Njeri nga simpatizantët e PD-së, Esmerald Kacolli, që kishte bllokuar rrugën i është afruar Isait duke e goditur me grusht në fytyrë. Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i bashkisë Kolonjë ka shkuar në komisariat për të bërë denoncimin përkatës ndërsa është shoqëruar personi qe e ka goditur.