(VIDEO) Pezullohet greva, matura shtetërore do të mbahet më 27 maj





Qendra shtetërore e provimeve do të pezullojë grevën. Si arsye për këtë ata përmendin dyshimin se nëse provimi i maturës zhvillohet me forcë, mund të vërë në pikëpyetje vlefshmërinë e testeve. Këtë vendim e kanë bërë të ditur pas deklaratës së ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri se më 27 maj duhet të ketë maturë. Qendra Shtetërore e Provimeve u dërgoi një mesazh maturantëve për zhvillimet dhe vendimin e tyre.

QENDRA SHTETËRORE E PROVIMEVE

“Masat dhe presionet e dhunshme të ministrit Shaqiri me tentativën për futjen e të huajve në procesin e maturës shtetërore – proces me shkallë të lartë të fshehtësisë, do të vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e testimit dhe rezultatet e maturës. Punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve, kanë vendosur të shtyjnë luftën për të drejtat e tyre për një jetë dinjitoze në të mirë të së ardhmes suaj”.

Në njoftim thuhet se vendimi i ministrit për të kryer testimet pa përfaqësues të  Qendrës të provimeve shtetërore mund të dëmtojë maturantët.

Ministri i arsimit Jeton Shaqiri tha se matura shtetërore do të mbahet më 27 maj siç e parasheh ligji. “Unë i mbështes kërkesat, por qëndrimi im përfundimtar është që matura shtetëror të realizohet më 27 maj, siç është planifikuar sipas afatit. Sipas të dhënave që marr si ministër, po bëhen të gjitha përgatitjet për t’u nënshtruar provimit të maturës shtetërore. Nëse do të jetë nevoja, nga e hëna do të dërgojmë edhe punonjës nga MASH-ja vetëm për të përfunduar punët”, tha Shaqiri. Ai ka theksuar se kjo kërkesë është edhe nga nxënësit e shkollave të mesme. Shaqiri shtoi se mbështet kërkesat për paga më të larta të punonjësve të Qendrës Shtetërore të Provimeve, por se kjo nuk duhet të ndërlidhet me realizimin e proceseve të rëndësishme siç është matura.

Punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve  janë në grevë që nga fundi i muajit prill dhe ndalesa e punës vazhdon deri në marrjen e pëlqimit të Ministrisë së Financave për rritjen e pagave. Greva përfshiu 15620 maturantë që janë regjistruar për të dhënë dy provimet eksterne më 27 maj dhe 10 qershor.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/