Lirohet nga akuza ish-ministrja e Kulturës, Kançevska Milevska për rastin “Tenderët”





Ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, është liruar nga akuza për rastin “Tenderët”. Përveç të akuzuarit të parë, të akuzuarit e dytë dhe të tretë, Lidija Lazarova-Cvetkovska, Juliana Ugrinovska, janë liruar edhe nga akuzat, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjyqtari Osman Shabani, në shpjegimin e aktgjykimit, tha se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e të akuzuarve përtej dyshimit të arsyeshëm.
Kançeska Milevska ishte e akuzuara e parë në rastin “Tenderë” në lidhje me tenderin për kryerjen e punëve ndërtimore në “Muzeun e Luftës së Maqedonisë për shtet dhe pavarësi”, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”.

Sipas aktakuzës, një pjesë e punëve ndërtimore në Muze janë kryer në të mirë të personit juridik “Beton” nga Shtipi. Para se të publikohej thirrja për dhënie të kontratës për prokurim publik dhe para se të zbatohej procedura, në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik, Kançeska-Milevska, përmes bisedimeve me drejtorin e përgjithshëm të ndërmarrjes ndërtimore “Beton” nga Shtipi, urdhëroi vazhdimin e punëve në Muzeu, ku punimet ndërtimore janë kryer sipas kontratës së lidhur më parë për prokurim publik.
Kjo ishte tentativa e gjashtë për të marrë aktgjykim për rastin “Tenderi” dhe ka pesë vite që po gjykohet. Gjyqi është rifilluar tre herë deri më tani për shkak të kalimit të 90 ditëve nga seanca në seancë dhe dy herë për shkak të zëvendësimit të gjyqtarëve.