Kuvend/ Ligjet për Korridorin 8-të dhe 10D para deputetëve në Komisionin për Çështje Evropiane

Pasi dje Kuvendi me shumicë votash miratoi nevojën që pesë ligjet për lehtësim dhe përshpejtim të ndërtimit të Korridorit 8-të, të jenë me procedurë të shkurtuar, me flamur evropian ato kaluan në Komisionin për Çështje Evropiane, e cila sot duhet ta vazhdojë seancën e 54-të në rend dite të së cilës janë propozim-ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.

Komisioni mbrëmë e miratoi rendin e ditës, ndërsa paradite, siç paralajmëroi kryetari Arbër Ademi, do të fillojë me debat pas pikës së parë të Propozim ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për marrëdhënie pune, me procedurë të shkurtuar.

Në seancë janë edhe Propozim-ligjet për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për planifikim urbanistik, Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për ndërtim, Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për shpronësim, si dhe Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për vërtetim të interesit publik dhe nominim të partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor (aksi: Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafëthanë) dhe Korridori 10d (pjesa e autostradës (Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Përveç këtyre ligjeve, para anëtarëve të Komisionit është edhe Propozim-ligji për akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë i cili gjithashtu duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar.