Kurti përuron impiantin e ujërave të ndotura në Gjakovë.

Gjakova ka fituar impiantin e tretë të trajtimit të ujërave të ndotura, ndërkohë që planifikohet që shtatë kryeqendrat të kenë impiantet e tyre brenda pesë viteve të ardhshme.

Kështu bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se në këtë projekt janë përfshirë shumë institucione ndërkombëtare dhe ka qenë një investim i madh.

“Impianti i ri në Gjakovë, vjen pas atyre në Prizren dhe Pejë, e po i paraprinë atyre në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë. Së bashku me institucione ndërkombëtare partnere, po synojmë që brenda pesë viteve të ardhshme, të gjitha shtatë kryeqendrat të kenë impiantet e tyre, ndërkohë që për vetëm dy vite kemi siguruar mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave”, ka thënë ai.

Kurti tha se projekti në fjalë ka kushtuar afër 17 milionë euro, teksa shtoi se 6 milionë i ka dhënë Banka Zhvillimore gjermane, “7.6 milionë nga Qeveria zvicerane dhe 3.2 milionë tjera i ka shtuar Komuna e Gjakovës”.

Sipas Kurtit, ky është një hap më tutje për mbrojtjen e mjedisit.