Mandl, Borrellit e Lajçakut: Kur flitet për të dyja palët, duhet parë se Kosova është në rrugën drejt integrimit evropian

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka kërkuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav, Lajçak që kur flitet për të dyja palët, të shohin se Kosova është në rrugën drejt integrimit evropian. Ai ka thënë se nuk duhet të zgjasë anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

Gjatë seancës së Parlamentit Evropian për raportin për Kosovën, Mandl, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është arsye për të festuar, por mësim.

“Në një mënyrë të tmerrshme ne evropianët e kemi kuptuar se cili është ndryshimi midis agresorit dhe viktimave dhe është e rëndësishme kur shikojmë historinë evropiane, kur flasim për Kosovën, sepse është një vend që i duhej të çlirohej dhe ka paguar një çmim të lartë vetëm për ekzistencën e saj, dhe për këtë arsye, është edhe më e habitshme që qytetarët e Kosovës, të cilët janë më optimistë, më të prirur për të ardhmen, kjo është ajo që shohim nga studimet, dhe në shtator të vitit të kaluar, në vitin 2022, ata aplikuan për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe më 1 janar 2024 ata do të mund të udhëtojnë pa viza në BE për herë të parë. Kjo nuk është një arsye për të festuar, por përkundrazi është një mësim, ne duhet të nxjerrim mësimet, sepse shpeshherë duhet shumë kohë që të zgjidhet burokracia dhe të merret vendimi”, ka thënë ai.

Tutje, eurodeputeti austriak ka kërkuar nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak të shohin se Kosova është në rrugën drejt integrimit evropian.

“Është dashur shumë kohë për të pasur udhëtimin pa viza dhe nuk duhet të zgjasë aq shumë dhe anëtarësimi i Kosovës në BE, ajo ka standarde të larta për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe liria fetare liria e fesë është shumë moderne në kushtetutë dhe kështu komisioner, ju lutemi mos flisni më për të dyja palët kur flisni për dialogun, unë do t’i kërkoja gjithashtu përfaqësuesit të lartë Borrell dhe gjithashtu Lajçakut kur flasim për Kosovën dhe Serbinë të shohin se Kosova është në rrugën drejt integrimit evropian”, ka shtuar ai. /kp