Hakeri i maskuar i Anonymous Albania tregon si u sulmua faqja e Aleksandar Vuçiqit

Një prej hakerëve të grupit Anonymous Albania, është paraqitur i maskuar në T7 për të folur rreth aktivitetit të grupit. Ai ka treguar se si ishte sulmuar edhe faqja zyrtare e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Hakeri ka thënë se sulmi ndaj faqes së Vuçiq kishte ndodhur rreth 5 ose 6 muaj më parë, në shenjë ndaj barrikadave dhe strukturave kriminale që ishin vendosur në veri.

“Sulmi ndaj faqes së Vuçiq ka ndodhur para 5 6 muajve. Është organizuar edhe nga hakerët botërorë. Kam pasur kontakte me ta. Arsyeja ka qenë që barrikadat në veri të tërhiqen dhe të largohen kriminelët nga pjesa veriore e Kosovës. Kjo ishte arsyeja”, ka thënë ai në “Majtas Jo Djathtas”, raporton Gazeta Express.

Po ashtu, ai ka thënë se ishte sulmuar edhe faqja e Ushtrisë së Serbisë. Sipas tij, faqet serbe, janë mbajtur rreth një javë nën sulme.

“Kemi sulmu edhe uebfaqe e Ushtrisë së Serbisë, i kemi tregu Serbisë që ne jemi shumë të fuqishë. I kemi mbajtë të hakuara një javë”, ka deklaruar ai.

Anëtari i grupit Anonymous Albania ka thënë se është sulmuar edhe faqja e Kryeminsitrisë së Kosovës si shenjë proteste ndaj përdhunimit të një 11-vjeçareje.

“Para disa muajve e kemi sulmu Kryeministrinë e Kosovës. Arsyeja ka qenë përdhunimi i një 11-vjeçarjeje. Po ashtu, e kemi sulmuar edhe Kuvendin dhe Prokurorinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Hakeri i maskuar ka treguar edhe për fillet e para të grupit. Ka thënë se ka hakerë nga Kosova e Shqipëria, por më shumë nga Koosva.

“Anonymous Albania, u themelu nga disa djem të Shqipërisë dhe Kosova në vitin 2013. Kyçja ime ka ndodhur në vitin 2015-16. Jemi grup i madh, kemi qenë deri në 80 veta”, ka deklaruar ai.

Ai ka shprehur bindjen e tij që nuk do të kapen kurrë nga autoritetet ligjvënëse.

“Ata nuk munden me ra në gjurmët tona. Kurrë s’kanë me mujtë”, ka vazhduar ai.