FHK-ja dhe FBK-ja i drejtohen MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës, kërkojnë të intervenohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit

FHK-ja dhe FBK-ja i drejtohen MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës, kërkojnë të intervenohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit


Sport


Gazeta Express

08/05/2023 23:39

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) dhe Federata e
Basketbollit e Kosovës po kërkojnë që të bëhen intervenime në Pallatin e Rinisë
dhe të Sportit në Prishtinë, aty ku zhvillohen aktivitetet sportive të
hendbollit, basketbollit dhe jo vetëm.

FHK ka njoftuar se sot një takim shumë konstruktiv të punës
kanë pasur sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Izet Gjinovci, dhe
sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, përcjell Gazeta Express.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se “Gjinovci e Dushku kanë
përgëzuar njëri-tjetrin për aktivitetet e fundit, ndërsa kanë diskutuar për
koordinim sa më të mirë për ngjarjet ndërkombëtare që dy federatat i
organizojnë gjatë verës”.

Tutje u bë e ditur se dy prej federatave më të mëdha sportive
në vend kanë bërë kërkesë që të bëhen intervenime në Pallatin e Rinisë dhe
Sportit në Prishtinë, në mënyrë që palestra e kësaj qendre dhe hapësirat
përcjellëse të jenë në përputhje me kërkesat e EHF-së dhe FIBA Evropës.

Kërkesa i është drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe
Sportit (MKRS), si dhe Komunës së Prishtinës.

Si FHK-ja, ashtu edhe FBK-ja, kanë organizime të rëndësishme
për grupmoshat e reja gjatë verës. Federata e Hendbollit do të organizojë
Kampionatin Evropian U19 për vajza, Divizioni B.

Ndërkohë FBK-ja do të organizojë Kampionatin Evropian U16 për
basketbollistë, Divizioni C.

Në fund, Gjinovci e Dushku thuhet se janë pajtuar për takime
të tjera në mënyrë që koordinimi i aktiviteteve të jetë i duhuri. /Gazeta
Express/