NJË NJËSI ZGJEDHORE/ Kush është “pro” e kush “kundër”?!

Modeli me një zonë zgjedhore shkon në drejtim të vlerësimit të barabartë të parimit një votues-një votë, sepse me gjashtë njësitë ekzistuese kemi shembuj ku në një zonë zgjidhet deputet me 6000 vota dhe në një tjetër me 8500 vota, thotë politikologu Bllagojçe Atanasoski në një prononcim për Indeks.mk, duke folur mbi debatin politik në vend për tu ndryshuar modeli zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore.

“Që të kemi zgjedhje të pastra, të ndershme dhe demokratike, na duhet një kulturë e pjekur politikisht dhe demokratike nga elitat tona politike, këtë nuk e kemi pavarësisht nëse është një apo gjashtë njësi zgjedhore. Mirëpo, një zonë zgjedhore shkon në drejtim të vlerësimit të barabartë të parimit një votues-një votë, sepse me gjashtë njësitë ekzistuese zgjedhore kemi shembuj ku në një zonë zgjidhet deputet me 6000 vota dhe në një tjetër me 8500 vota. Pra, thyhet parimi themelor i demokracisë së votës së barabartë. Megjithatë, për mua është shumë më e rëndësishme të kemi lista të hapura, në mënyrë që të kemi një transferim të drejtpërdrejtë të legjitimitetit nga qytetari te deputeti, dhe jo përmes partisë ta kalojmë legjitimitetin tonë në Parlament”, deklaroi Atanasoski për Indeks.mk

Kështu, siç shprehet ai, partitë totalitare të “sulltanit” do të bëhen demokratike dhe të zgjedhurit e popullit (deputetët) do të përgjigjen drejtpërdrejt para elektoratit, do të punojnë me dinjitet, individualitet, elan dhe përgjegjësi më të madhe.

Përveç dy partive më të mëdha maqedonase Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në pushtet dhe opozitares VMRO-DPMNE, edhe partia më e madhe në kampin politik shqiptar në këto 20 vitet e fundit Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është deklaruar e gatshme të diskutojë dhe të pranojë modelin me një njësi zgjedhore, shumë kohë pasi kjo parti kishte qenë ithtare e modelit aktual dhe kundërshtarja kryesore e ndryshimit të modelit zgjedhor. Nga kjo parti thonë se do ta bëjnë vetë këtë propozim në grupin e punës për ndryshimet në legjislaturën zgjedhore.

“Edhe mund të flasim për një njësi zgjedhore por me kompromis sigurisht se edhe e logjikshme është që të kemi një prag prej 5% dhe lista të hapura për deputetë. Kështu mendojmë se kontribuojmë në rritjen dhe përmirësimin e cilësisë në përfaqësim në Kuvend por ama kësisoj kontribuojmë edhe në sigurimin e një stabiliteti politik në Kuvend. Ne do ta propozojmë në grupin punues. BDI-ja do ta propozojë për diskutim”, tha Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Nënkryetari i BDI-së Ademi thotë se ndryshimet duhet të miratohen me konsensus. Cilat do ndryshime për të cilat do të ketë marrëveshje, Ademi thotë se duhet të zbatohen në kohë, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-së.

“Është e rekomandueshme që propozimi të miratohet të paktën gjashtë muaj para ditës së zgjedhjeve. Ne kemi zgjedhur edhe kryetar të grupit punues. Unë pres që të kemi diskutime intensive dhe cilësore në mënyrë që këto afate të arrihen dhe t’u përmbahemi”, u shpreh Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Të mërkurën e kaluar për herë të parë u mblodh grupi i punës që do të hartojë Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari i grupit të punës, Aleksandar Novakovski, tha se prioritet është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për kodin zgjedhor dhe se paralelisht do të punohet për një kod të ri zgjedhor, ose eventualisht ndryshimin e modelit zgjedhor. Partitë politike nuk kundërshtojnë zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së. Ato rekomandime nuk kundërshtohen as nga VMRO-DPMNE-ja e cila për momentin refuzon të jetë pjesë e këtij grupi të punës.

Megjithatë partitë kanë pasur shpesh qëndrime të ndryshme për modelin zgjedhor, respektivisht numrin e njësive zgjedhore. Ndërkohë që tashmë janë bërë në një mendje LSDM, VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe partitë më të vogla në koalicion me partitë e mëdha, duke u deklaruar të hapur të flasin për modelin me një njësi, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa kanë qëndrime të tjera, ASH-ja kërkon tetë kurse Besa tre njësi zgjedhore.(Indeks.mk)