Erdogan e quan opozitën ‘pro-LGBT’ në tubimin zgjedhor në Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, akuzoi opozitën se është “pro-LGBT” në një tubim në Stamboll të dielën, një javë përpara zgjedhjeve që priten të jenë të shtrënguara.

Turqia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 14 maj dhe sondazhet tregojnë se Erdogan përballet me sfidën e tij më të madhe elektorale në dy dekadat e tij në pushtet.

Dhe në tubimin e tij në Stamboll, presidenti po i bënte thirrje bazës së tij konservatore të votuesve myslimanë, shkruajnë mediat e huaja.

Erdogan ka mbajtur atë që po konsiderohet si tubimi më i madh i fushatës së tij deri më tani në Stamboll të dielën me një turmë historike prej 1.7 milion njerëz përpara zgjedhjeve të 14 majit, duke nënvizuar “arritjet e shumta” gjatë qeverisjes së Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (Partia AK).

“Partia AK (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit) dhe partitë e tjera në aleancën tonë nuk do të ishin kurrë pro-LGBT, sepse familja është e shenjtë për ne. Ne do t’i ‘varrosim’ ata pro-LGBT në kutinë e votimit”, citohet të ketë thënë Erdogan para turmës.

Të dielën, ai sulmoi gjithashtu rivalin e tij kryesor në zgjedhje, Kemal Kilicdaroglu, i cili kryeson aleancën kryesore të opozitës.

“Populli im nuk do të lejojë që të dehurit dhe pijanecët të dalin në skenë…”, tha gjithashtu Erdogan.

Erdogan ka akuzuar gjithashtu Kilicdaroglu se ka marrë mbështetje nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një kryengritje që nga vitet 1980, në të cilën janë vrarë më shumë se 40,000 njerëz.

Ai konsiderohet një grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Opozita ka denoncuar më parë pretendimet e Erdoganit për lidhjen e tyre me terroristët si retorikë përçarëse dhe të rrezikshme të fushatës.