Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

Me rastin e pjesëmarrjes në ekspozitën dhe konferencën e ASDA (Adriatic Sea Defense & Aerospace), ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar homologun e tij kroat, Mario Banoziq, ku kanë nënshkruar Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes.

Në këtë takim, të dy ministrat diskutuan për shumë çështje relevante me situatën aktuale gjeopolitike.

Kjo duke përfshirë ndikimin rus në Ballkan, domosdoshmërinë e unitetit përballë tendencës për destabilizim dhe cenim të vlerave demokratike, investimin e përbashkët në fusha strategjike sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, me qëllim garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Ministri Mehaj i ka theksuar ministrit Banožić faktin se Kosova është falënderuese për mbështetjen e deritanishme nga ana e shtetit kroat dhe se përkushtimi do të jetë i fuqishëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm, ofrim të trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit si dhe të deminimit”,thuhet në njoftimin për media.

Nga ana tjetër, ministri kroat i Mbrojtjes shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga ana e Kosovës për zhvillimin e ushtrisë, e po ashtu faktin e ngritjes së kapaciteteve ushtarake përmes blerjeve direkte, shtet më shtet, në përputhje me standardet e NATO-s.

Ministri Banozic garantoi mbështetje të pakursyer nga ana e Kroacisë për Kosovën dhe të ardhmen tonë evropiane.