32 fëmijë lëmoshë-kërkues vetëm gjatë tre mujorit të parë të 2023-ës

Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjini ka treguar numrin e saktë të fëmijëve lëmoshë kërkues. Sipas statistikave, gjatë tre mujorit të parë të vitit 2023 janë identifikuar 32 fëmijë, ku janë iniciuar 24 raste për veprën penale ’Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës’, me gjithsej 26 të dyshuar.

Tutje, gjatë vitit të kaluar, janë identifikuar 77 fëmijë duke kërkuar lëmoshë ndërsa janë iniciuar 44 raste për veprën penale ‘Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës’, me gjithsej 53 të dyshuar.

Ndërsa në vitin 2021, Policia e Kosovës ka regjistruar 60 fëmijë duke kërkuar lëmoshë dhe kanë iniciuar 28 raste për veprën penale ‘Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës’, me gjithsej 33 të dyshuar.

Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka potencuar se në kryeqytet janë paraqitur 18 raste të fëmijëve lëmoshë kërkues dhe janë nga të gjitha nacionalitetet, qoftë shqiptar, RAE, etj.

Vebi Mujku, Drejtor i QPS në Prishtinë

Mujku për Portalin Dukagjini ka theksuar se mosha mesatare e fëmijëve ose në përgjithësi e lëmoshë kërkuesve sillet nga 5 deri në 18 vjeç.

“Fëmija që gjenden në kryeqytet janë kryesisht nga komunat përreth dhe me familje nga Shqipëria. Ne përveç intervistës së parë dhe shërbimeve të para i referojmë në QPS përkatëse prej nga vinë. Po ashtu kemi siguruar edhe qëndrimin në qendrën ditore për fëmijë, pa dallim të cilës komunë janë”, është shprehur Mujku.

Alltane Berisha, punëtorja sociale e Organizatës Joqeveritare Terre des Homes në Prizren për Portalin e Dukagjini ka theksuar se numri i fëmijëve lëmosh kërkues është 32 dhe shumica prej tyre janë të gjinisë mashkullore dhe i përkasin komunitetit RAE dhe atij shqiptarë.

Sipas tyre, mosha që dominon është nga 8 deri në 18 vite.

“Shërbimet sociale që QPS ofron për fëmijët dhe familjet e fëmijëve lëmosh kërkues janë: Këshillim psiko-social për fëmijët dhe familjet, ngritje e kapaciteteve prindërore për prindërit e fëmijëve lëmosh kërkues, ofrimi i asistencës sociale, ofrimi i pakove ushqimore dhe higjienike kohë pas kohe, kujdesi shëndetësor, regjistrimi në shkollë si dhe përcjellja e vijueshmërisë së mësimit në mënyrë që të mos e braktisin mësimin, mbështetja e pagesës së qerasë për familjet të cilat i plotësojnë kriteret”, thuhet në përgjigjen e Qendrës për Punë Sociale në Prizren.

Tutje “në bashkëpunim me OJQ Terre des Hommes dhe Unicefin si mbështetje edhe Ekipin mobil të përbërë nga dy punëtorë, një Punëtorë Social dhe Psikologu të cilët në vazhdimësi janë në teren dhe ofrojnë shërbime direkte për fëmijët në situatë rruge”.

Disa nga arsyet kryesore që fëmijët kërkojnë lëmoshë janë “neglizhenca prindërore, gjendja ekonomike e familjeve dhe për një pjesë të fëmijëve dhe familjeve kërkimi i lëmoshës është bërë si stil jetese”.

Ndërsa, Demush Morina, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në komunën e Vitisë, në një përgjigje me shkrim për Portalin e Dukagjini ka theksuar se në këtë komunë nuk ka fëmijë lëmoshë kërkues por edhe nëse ka ata janë “vetëm gjatë ditës së enjte, duke përfshirë dy-tre fëmijë që kërkojnë lëmoshë, pasi që në këtë komunë është ditë tregu”.

Tutje Morina ka theksuar se “kemi edhe disa fëmijë por ata zakonisht janë pranë prindërve lypës”.

Pasi dukuria e fëmijëve lëmoshë kërkues është një problem që merren shkencat humane, Portali Dukagjini ka adresuar disa pyetje për sociologun kosovar, Jeton Brajshori, i cili theksoi se procesi i lëmoshë-kërkimit është një proces i vështirë i cili ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës.

Sipas Brajshorit këta fëmijë bullizohen dhe stigmatizohen nga shoqëria për shkak të lëmoshës që kërkojnë dhe se janë pothuajse tërë ditën në rrugë. Ai tutje ka thënë se institucionet kanë bërë fare pak në këtë drejtim gjë që lë të nënkuptohet se ka edhe persona brenda institucioneve përkatëse të cilët janë të zhytur në botën kriminale e cila i kontrollon shumicën e tyre.

“Procesi i lëmoshë-kërkimit është një proces i vështirë i cili ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës. Këta fëmijë bullizohen dhe stigmatizohen nga shoqëria për shkak të lëmoshës që kërkojnë dhe se janë pothuajse tërë ditën në rrugë. Institucionet kanë bërë fare pak në këtë drejtim gjë që lë të nënkuptohet se ka edhe persona mbrenda institucioneve përkatëse të cilët janë të zhytur në botën kriminale e cila i kontrollon shumicën e tyre. Institucionet duhet të sigurohen se këta fëmijë duhet të shkojnë në shkolla, arsimimi fillor është i obliguar me ligj dhe në këtë mënyrë këtyre fëmijëve po u mohohet e drejta e tyre për shkollim. Institucionet duhet të shijojnë se nga vijnë këta fëmijë! Nëse janë nga vende tjera atëherë duhet që ti ri-atdhesojn, nëse janë nga Kosova, qendrat për punë sociale duhet të merren me ta”, ka treguar Brajshori.

Jeton Brajshori, Ligjërues i sociologjisë në Kolegjin AAB

Brajshori ka numëruar disa nga arsyet që vijnë deri tek dalja e fëmijëve për të kërkuar lëmoshë, e në rastin më konkret, ka thekuar se dikush vërtet kërkon nga zori po shumica e tyre punojnë me direktiva të tjetërkujt dhe janë në shërbim të grupeve kriminale.

Cilat janë rreziqet që përballen fëmijët që kërkojnë lëmoshë?

Për ta pasur më të qartë dhe për të kuptuar gjithë këtë situatë, Brajshori ka treguar se cilat janë rreziqet që përballen fëmijët që kërkojnë lëmoshë.

“Rreziqet janë, ndryshimi i personalitetit, bërja profesion e kërkim-lëmoshës, të mbeten të paarsimuar, mos të kenë shpresa për një të ardhme më të mirë, janë të prirur që të futen në botën e krimit më lehtë, thjesht kjo u shkatërron të ardhmen”, ka treguar ai.

Disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të tilla, sipas Brajshorit janë: faktori socio-ekonomik, prindërit e papërgjegjshëm dhe grupet e krimit.

“Fëmijët janë të brishtë dhe ende nuk janë në gjendje të mendojnë si duhet dhe në këtë mënyre manipulohen lehtë nga grupe të ndryshme interesi”, ka shtuar Brajshori.

Cilat janë veprimet që i ndalon apo i shmangë që fëmijët të dalin në rrugë?

Sociologu, Jeton Brajshori ka treguar se çdo gjë fillon nga familja dhe sipas tij prindërit janë ata që duhet të kenë kujdes në sjelljet e tyre sepse fëmijët janë të prirur ti imitojnë.

“Çdo gjë e mësuar keq në fëmijëri ka impakt gjatë tërë jetës së tyre! Institucionet duhet te fëmijët lëmoshë-kërkues t’i bëj top prioritet për t’i trajtuar, duke filluar nga shkollimi që është obligativ deri te kujdesi dhe integrimi i tyre i plot në shoqëri”, ka përfunduar Brajshori.