Krasniqi liron nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draft – statutit të Asociacionit

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se ka liruar nga detyra ekipi menaxhues për hartimin e draft – statutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se pas prezantimit të draft-statutit për Asociacionin në takimin e djeshëm nga ana e tyre, ky ekip tash është pa status.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković”, ka thënë Krasniqi.

Ekipi ishte i kryesuar nga Danijela Vujçiq, e i përbërë nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan të martën në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Ky takim përfundoi me pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë por me papajtueshmëri për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.