Kërkohet respektimi i të drejtave të punëtorëve, zëvendësimi i tyre me robotë i vështirë

Është bërë pothuajse një “traditë” që festa e 1 majit, Dita e puntorëve, të pritet me protesta në Kosovë. Jo më ndryshe do të jetë edhe këtë vit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi ka thënë se gjendja e puntorëve nuk po ndryshon tash e vite të tëra, gjë e cila është njëherit edhe arsyeja e protestës së paralajmëruar për sot (e hane).

Por, a do e presë një herë Kosova festën e një majit si një “festë”?

“Të them të drejtën, ndoshta kur të lindin disa njerëz pas 100 vjetësh përndryshe me këta, nuk ka mundësi të festohet…ne jemi nën minimum me këtë që po ndodh realisht. Po flas për këtë qeveri e cila ka premtu shumë, edhe qeveritë e tjera kanë premtuar megjithatë, kjo ka premtuar më shumë sesa të gjitha të tjerat, dhe së paku as premtimin minimal nuk e ka bërë. As dialogun që duhet me e bë dialogun…jo serioz po as në mënyrën më të thjeshtë nuk e ka bërë. Kështu që, nuk ka shancë të vie deri tek ajo që po thoni”, ka deklaruar Azemi.

Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat

Gjersa ka deklaruar se Kosova do e paguajë faturën me humbjen e rinisë së saj, Azemi ka thënë se njerëzit tashmë kanë filluar të largohen dhe se një gjë e tillë, po vërehet dukshëm.

“Vetëm ata që nuk kanë asnjë dijeni lidhur me këtë përndryshe papunësia jo që do të rritet por realisht, gjendja është tepër alarmante dhe nuk ka shancë me u rrit papunësia, sot fatkeqsisht e kemi në nivelin më të ultë. Njerëzit që kanë së paku një kualifikim tashmë kanë ikur. Unë jam në terren çdo ditë dhe po e shohë siç është gjendja…fatkeqsisht është diçka e rëndë që po e shoh. Por, frikësohem që nëse edhe në 4-5 vjetët e ardhshme vazhdon kështu realisht nuk ke për të parë njerëz nën moshën 55-vjeçare që janë në Kosovë, këtë e vëren në çdo qendër’, ka deklaruar ai.

Se mungesa e rinisë në Kosovë do shkaktoj një hendek pajtohet edhe ekonomisti, Naim Huruglica. Ky i fundit thotë se një gjë e tillë do të vihet re atëherë kur objektivat nuk do të arrihen të përmbushen nga kompanitë.

“Ka me qenë shumë vështirë sepse njerëzit që po ikin janë njerëz që kanë një profesion, një zanat. Domethënë nuk po ikin vetëm ata të cilët nuk janë të punësuar sepse nëse ikin të papunët, siç thotë një fjalë, mund të ketë më pak efekte ekonomike por po ikin edhe ata që kanë profesion e zanat. Do të jetë e vështirë sepse nuk kemi kohë të gjejmë puntorë. Tregjet e jashtme vetëm aziatike ose mos të them afrikane, por sa jam në dijeni, kompanitë e Kosovës nuk kanë lidhje të mirë që do mund t’i zëvendësonin puntorët kosovarë…do të jetë një hendikep ikja e tyre dhe ajo do të vërehet tek shumë kompani që nuk do të munden t’i realizojnë objektivat e tyre”, ka deklaruar Huruglica.

Naim Huruglica, ekonomist

Zëvendësimi i puntorëve me robotë

Më 26 prill të këtij viti, ishte një gazetar i RTV Dukagjini ai që solli një kronikë të realizuar mbi një robot i cili arrinte të realizonte punën e 4 personave. Por, a do mundej një mënyrë e tillë të përmbushte mungesën e fuqisë puntore në Kosovë?.

Ekonomisti Huruglica thotë se ndonëse një proces i tillë mbetet e ardhmja, një proces i tillë mbetet i shtrenjtë dhe jo vetëm.

“Ajo është e ardhmja, diçka që vazhdimisht është në proces por, nuk është e mundur sepse po të kishte qenë kështu atëherë Gjermania nuk do i merrte puntorët tanë, do i zëvendësonte të gjithë me robot sepse do ishte më lehtë edhe për ta. Zëvendësimi i njerëzve do të ishte i shtrenjtë. Nuk po them që nuk do të bëhet por zëvendësimi i njeriut me sistem robotik do kohë dhe ështëi shtrenjtë. Po e përsërisë, ikja e njerëzve nga Kosova do të krijojë një hendek ku jo vetëm do të shtranjtohen puntorët ose puna në Kosovë por do të ketë problem të gjinden puntorë të caktuar”, ka deklaruar ai.

Se një metodë e tillë  do mund të përdorej nga vet Gjermania është pajtuar edhe Azemi. Lajme të kësaj natyre, ai i quajti dezinformata.

“Shumë kompani janë mbyllur…njerëzit po dezinformojnë duke thënë se fuqia punëtore do të zëvendësohet me robota por nëse do mundnim t’a bënim këtë, sigurisht që Gjermania dhe vendet më të zhvilluara industrialisht, do e mbulonin zbrasëtirat e fuqisë punëtore”, ka deklaruar Azemi.

Aktualisht në sektorin privat paga mesatare është 419 euro, ndërkaq në sektorin publik rreth 300 euro më e lartë. Ndër faktorët që vazhdimisht ka ndikuar në ikjen e fuqisë punëtore është mungesa e vendeve të punës dhe pagat e ulëta.

Për arsye të ndryshme sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mbi 42 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova vetëm në vitin 2021.

Ndërkaq edhe qytetarët lënë kushtet e tanishme ekonomike dhe jo vetëm si shkak i largimit nga Kosova.

“Për vendin tënd më keq nuk ka por duhet pajtuar me këtë periudhë të Kosovës siç është për momentin por nëse përmisohet prapë Kosova, vendin e kem gjithmonë. Pishman jemi që po shkojmë por tash, koha po e bën të veten”, thotë një qytetar për Dukagjinin, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

“Karta e mundësive”

Numri i vendeve të lira të punës në vitin 2022 ishte në një nivel rekord prej afër 2 milionësh, sipas qeverisë gjermane.

Një nga reformat është një ligj i ri imigracioni që synon të adresojë pengesat kryesore për emigrantët në Gjermani, veçanërisht për ata që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.

“Me këtë, ne po hedhim themelet për një fillim të ri në politikën e migracionit,” shkroi në Twitter, ministri i Financave, Christian Lindner, pasi kabineti miratoi reformat. Kushdo që mund të kontribuojë në suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar është i mirëpritur.

Projektligji i parë thotë se reforma mund të rrisë numrin e punëtorëve nga vendet jashtë BE-së me 60 mijë njerëz në vit.

“Nëse njerëzit sjellin përvojë profesionale ose potencial personal me vete, ne do t’u bëjmë të mundur që ata të fitojnë një terren në tregun tonë të punës,” tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Ajo u ofron punëtorëve të huaj tri rrugë për të hyrë në vend. E para kërkon një diplomë profesionale ose universitare të njohur në Gjermani dhe një kontratë pune.

E dyta kërkon të paktën dy vjet përvojë pune në një sektor përkatës dhe një diplomë ose formim profesional.

E treta është një “kartë mundësie” e re për individët që nuk kanë një ofertë pune, por kanë potencial për të gjetur punë. Karta e mundësive ndjek një sistem të bazuar në pikë që merr parasysh kualifikimet, aftësitë gjuhësore, përvojën profesionale, lidhjen me Gjermaninë dhe moshën.

Nga ana tjetër, duke u bazuar në informatat nga Germany-Visa.org, Gjermania është një vend ku shumë njerëz duan të jetojnë, punojnë apo studiojnë, rrjedhimisht kërkesa për shtetësi gjermane është e lartë. Gjermania është një vend plot me procedura burokratike dhe burokraci, kështu që natyrshëm ligji i shtetësisë është jashtëzakonisht i ndërlikuar.