Në Qendrën Sportive “Jane Sandanski” në Aerodrom u mbajt Turneu i parë ndërkombëtar në karate “Olimpik open 2023”, Sara Muadini nga Klubi i Karatesë “Bashkimi 2002” nga Kumanova e zuri vendin e parë dhe u dekorua me medalje të artë

Në Qendrën Sportive “Jane Sandanski” në Aerodrom u mbajt Turneu i parë ndërkombëtar në karate “Olimpik open 2023”.

Turneun “Olimpik open 2023” e hapi kryetari i Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski i cili tha se turnetë e tilla përveç se kanë karakter sportiv dhe garues, janë edhe një mundësi e mirë për promovimin e komunës dhe të shtetit në korniza ndërkombëtare. 

Në këtë turne të karatesë me aftësitë e saja spikati karateistja Sara Muadini nga Klubi i Karatesë “Bashkimi 2002” nga Kumanova, e cila e zuri vendin e parë dhe u dekorua me medalje të artë.

Muadini e cila garoi në kategorinë kumite femra më të reja +35 kg, në finale fitoi ndaj përfaqësueses nga Sllovenia.

Në garën ndërkombëtare, e cila u realizua me mbështetjen e komunës Aerodrom morën pjesë mbi 500 garues nga dhjetë vende, kur përmes luftimit korrekt ata i dëshmuan aftësitë dhe njohuritë e tyre të këtij sporti./MIA/