OBSH paralajmëron për rrezikun e shpërthimit biologjik në Sudan





Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një “rrezik të lartë biologjik” nga një laborator i uzurpuar gjatë luftimeve në Sudan.

Zyrtarët thanë se është e paqartë se kush qëndron pas uzurpimit të Laboratorit Kombëtar të Shëndetit Publik në kryeqytetin Kartum. Qyteti, tash e dhjetë ditë, është përfshirë nga luftimet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

OBSH-ja i tha BBC-së se punëtorët nuk mund të hyjnë më në laborator dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike janë duke e bërë të pamundur menaxhimin e duhur të materialit atje. Zyrtarët thanë se një gamë e gjerë materialesh biologjike dhe kimike ruhen në laborator.

Objekti mban patogjenët e fruthit dhe kolerës, si dhe materiale të tjera të rrezikshme. Mungesa e rrymës raportohet se është duke vënë në rrezik edhe rezervat e qeseve të gjakut, që ruhen në laborator. Laboratori gjendet afër qendrës së Kartumit dhe jo shumë larg aeroportit kryesor të qytetit. Ministria Federale e Shëndetësisë në Sudan ka raportuar se 36% e objekteve shëndetësore në Kartum janë jofunksionale, për shkak të luftimeve.