“Lëkundje e stabilitetit financiar”, opozita me kritika për mungesën e udhëheqësve në institucionet kyçe financiare

Tri institucionet vitale financiare të Kosovës qe një kohë kanë mbetur pa udhëheqës në krye.

Fondi i Kursimeve Pensionale i njohur si Trusti, Banka Qendrore dhe Administrata Tatimore janë institucionet kyçe që tani për tani po menaxhohen në mungesë të Bordit drejtues, guvernatorit dhe drejtorit të përgjithshëm.

Trusti ka mbetur pa bord që nga 1 marsi. Po ashtu në fund të këtij muaji ka skaduar edhe mandati i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa Administrata Tatimore e shtetit menaxhohet me ushtrues detyre nga viti i kaluar.

Këtë situatë në institucione, opozita e ka konsideruar si lëkundje të stabilitetit financiar në vend.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami në një përgjigje për Portalin Dukagjini e ka quajtur “të pafalshme” mungesën e udhëheqjes në këto institucione, pasi sipas saj në këtë kohë kur ka më së shumti turbulencë në tregjet financiare gjithandej botës, në Kosovë ka mungesë të vendimmarrjes efektive.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

“Kur institucionet janë pa udhëheqës ato nuk janë funksionale, sepse ato thjeshtë kryejnë ndonjë punë apo detyrë por nuk mund të marrin vendime. Është e pafalshme nga ana e kësaj Qeverie që në  kohën kur ka turbulenca në tregjet financiare gjithandej nëpër botë ne e kemi Fondin e Kursimeve Pensionale pa bord, e kemi pa vendimmarrje”, ka thënë Bajrami.

Përveç institucioneve kyçe, Bajrami ka theksuar se ka edhe institucione të tjera që janë pa udhëheqje si “Thesari i shtetit, Njësia e Intelegjencës Financiare, Komisioni i Ndihmës Shtetërore, Prokurori i Shtetit si dhe disa ministri janë me ushtrues detyrë të sekretarëve permanentë”.

Për të gjitha këto, deputetja e LDK-së fajëson qeverinë, e cila thotë se me anë të kësaj gjendje ka shfaqur “paaftësinë” e saj.

“Kjo shpërfaq paaftësinë e kësaj qeverie, asnjëherë nuk ka ndodhur që të kemi kaq shumë funksione vakante dhe jofunksionale në të njëjtën kohë. Vërtet kemi humbur shumë në kuptim të institucioneve dhe qytetarëve të vendit”, ka thënë Bajrami.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa e ka quajtur këtë tendencë të qeverisë që të dominojë mbi levat financiare të vendit.

Shala ka thënë se është jashtëzakonisht dëm i madh që institucionet qendrore financiare të jenë pa vendimmmarrje meritore, pa profesionistë dhe pa ekspertë të fushave që sipas tij do duhej t’i nënshtroheshin një procesi transparent të zgjedhjes.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala

“Tri institucionet qendrore të Kosovës financiare kanë mbetur pa udhëheqës, me ushtrues detyre duke pasur në proces shumë shkelje edhe gjatë emërimit të ushtruesve të detyrës për shkak të neglizhencave dhe vonesave të kësaj mazhorance gjerësisht të Qeverisë, me theks të veçantë të ministrisë së Financave. Është jashtëzakonisht dëm i madh që institucionet qendrore financiare të jenë pa vendimmmarrje meritore, pa profesionistë dhe pa ekspertë të fushave që do duhej të iu nënshtroheshin një procesi transparent të zgjedhjes. Është paaftësi e qeverisë dhe tendencë të dominojnë mbi levat financiare të vendit”, ka thënë Shala për Dukagjinin.

Sipas tij, qeveria e ka pasur në dorë dhe e ka tashmë që të ndërmarrë hapat legalë dhe transparentë për zgjedhjen e tyre.

“Qeveria e ka pasur me kohë në dorë të ndërmarrë me kohë hapat legalë për zgjedhjen e tyre, transparent me ndihmën e këshilltarëve të kompanisë këshilluese angleze të cilët kanë qenë në dispozicion dhe kanë dhënë maksimumin, por  që qeveria me dashje si duket fatkeqësisht, deri sa ta stabilizojë gjithë levën e vet politike në këto institucione ka vendosur që disa prej tyre t’i lejë ushtrues të detyrës”.

Ndërkaq deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka thënë se Kosova me qeverisjen Kurti ka mungesë teorike dhe praktike të strategjive, planeve dhe konceptit të zhvillimit të vendit.

“Institucionet publike s’kanë qenë kurrë më pak fuqiplota se në Qeverinë Kurti. Institucionet si Trusti, Banka Qendrore dhe ATK-ja, janë baza e shtetit të Kosovës dhe çdo moment i tyre këtë vit pa organe udhëheqëse nënkupton që shteti ka mungesë teorike dhe praktike të strategjive, planeve dhe konceptit të zhvillimit të vendit. Vërtet kemi humbur shumë në kuptim të institucioneve dhe qytetarëve të vendit”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Këtë ngërç në institucionet kyçe, Lekaj e ka quajtur “plan të pushtetit”.

“Ngërçi i funksionimit për muaj të tërë i institucioneve publike, sigurisht që është plan i njerëzve të pushtetit, ku planifikojnë që në këto pozita të sjellin njerëz me direktiva të partisë, për ti kapur dhe kontrolluar në tërësi. Kjo mendësi është e gabuar sepse të njëjtin sistem e kanë pasur me ndërmarrjet publike dhe ministritë, ku kanë shkarkuar bordet dhe pozitat udhëheqëse, e pa humbur në kohë ngarkuan njerëzit e tyre, dhe që në fund kanë dështuar me funksionim, menaxhim e zhvillim si në ndërmarrje publike ashtu edhe në ministri”, ka vijuar ai.

“Nuk ka ngecje”

Kështu është përgjigjur për Portalin Dukagjini, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Korenica njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në lidhje me kritikat e opozitës në lidhje me mosfunksionimin efektiv të këtyre institucioneve financiare.

Ai ka thënë se ka procese që duhet të bëhen si duhet dhe se ka praktika nga e kaluara që për inerci duhet të vijohen.

Visar Korenica, deputet i LVV-së

Sipas tij, për të gjitha këto raste do të ketë epilog pasi ndryshimi i qasjes se si bëhen këto procese rekrutimi merr kohë.

“Nuk ka ngecje. Ka procese që duhet të bëhen si duhet. Dhe ka praktika nga e kaluara që për inerci duan t’i vijojnë. Ndaj ndryshimi i qasjes se si bëhen këto procese rekrutimi merr kohë”, ka thënë Korenica.

Ndërsa njohësi i ekonomisë, Naim Huruglica ka thënë se kjo është një situatë jonormale dhe paraqet vështirësi serioze për këto institucione pasi siguron jostabilitet në planifikimin e detyrave dhe zhvillimit.

“Udhëheqja e këtyre institucioneve nga ushtrues detyre nuk siguron stabilitet por edhe punë serioze në planifikimin e detyrave dhe zhvillimit te këtyre institucioneve”, ka thënë Huruglica.

Naim Huruglica, ekonomist

Sipas tij, qeveria duhet sa më shpejt të bëjë përzgjedhjen e udhëheqësve në këto institucione pasi vendimet strategjike dhe operacionale janë pjesë e përgjegjësisë së menaxhmentit dhe nuk mund të kryhen nga nivelet e tjera.

“Është fat qe këto janë institucione të konsoliduara dhe në masë të madhe janë duke arritur te përmbushin funksionet e tyre, por kjo situatë nuk bën assesi të zgjasë për një kohë të gjatë, pasi shume nga vendimet strategjike por edhe operacionale janë pjese e përgjegjësisë se menaxhmentit dhe nuk mund te ushtrohen nga nivelet tjera”, ka vijuar ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se në të kaluarën është përfolur se emërimi në pozita të larta menaxhues të tilla lidhet me përkatësinë politike të atyre që aplikojnë.

“Edhe në të kaluarën është përfolur se emërimi në pozitat e larta menaxhuese është i lidhur me përkatësinë politike te atyre qe aplikojnë. Me qëllim te rritjes se transparencës në përzgjedhjen e kandidateve më të suksesshëm, gjatë viteve të fundit kemi pa angazhimin e një kompanie konsulente britanike. Besoj që edhe tek këto raste, procesi do te monitorohet nga ekspertët ndërkombëtarë”.

Ndryshe, të premten, më 7 prill, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të nisë nga fillimi.

Ndërsa, të martën e 18 prillit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se konkursi për anëtarë të Bordit të Trustit është rishpallur.

“Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) njofton se është rishpallur konkursi për 5 anëtarë profesionalë, 1 anëtar përfaqësues të punonjësve dhe 1 anëtar përfaqësues të punëdhënësve”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Kjo pasi Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit, i përbërë nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, më 7 prill të këtij viti ka vlerësuar se në konkursin e fundit të shpallur për këto pozita, kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

Për këtë, Komisioni unanimisht pati vendosur që ky konkurs të rishpallet.

Po ashtu edhe ATK-ja udhëhiqet me ushtrues detyre që nga shkurti i vitit të kaluar ndërsa se kur pritet të shpallet konkurs për këtë pozitë nga VV-ja u tha se për të gjitha këto raste do të ketë epilog.