Artistët nga Maqedonia e Veriut me këngë të bukura shqipe në Radio Dukagjini

Të ftuar sonte në “Super Trend” me Drilonën dhe Mirdonin, ishin dy artistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët përformuan këngë të bukura shqiptare, qytetare e moderne në studion e Radio Dukagjinit.

Bëhet fjalë për Arsihana Luçin me një zë fantastik dhe Besim Miftarin me melodinë e bukur të kitarës, të cilët erdhën nga Maqedonia e Veriut, nga Shkupi dhe Kumanova respektivisht, për të folur për pasionin e tyre për muzikën.

Arsihana si një këngëtare e re thotë se ka nisur të mirret me muzikë kohë më parë, por tash e një vit bën muzikë me Besimin. Mbrëmjet e tyre zakonisht janë në Maqedoninë e Veriut, në qytete të ndryshme. Edhe pse Shkupi është qendra e vendit, Arsihana thotë se mbështetja për artista mungon në kryeqytet, dhe më shumë ftohen për të pëformuar nga qytete tjera.

Lidhur me këtë, Besimi që me muzikë mirret tash e sa vjet, thotë se ka të bëjë edhe ndarja etnike, pasi shqiptarët dhe maqedonët nuk i frekuentojnë zakonisht mbrëmjet e njëjta, pasi nuk i lidh kultura, gjuha e as tradita. Shton se qytet i mirë për mbrëmje muzikore është Tetova për shkak të universiteteve që ka, si dhe Struga për shkak të turizmit të zhvilluar.

Të dy artistët kanë mbajtur mbrëmje muzikore edhe në Kosovë, ndonëse jo duke përformuar së bashku. Mirëpo edhe koha nuk është se iu premton shumë, shkaku i obligimeve tjera. Arsihana është në studime, vitin e tretë drejtimi arkitekturë si dhe merret edhe me grim. Në anën tjetër Besimi punon si profesor i muzikës në një shkollë të mesme në Kumanovë.

Arsihana Luçi ka dy projekte të saja të publikuara tashmë, të titulluara “Nuk e di” dhe “Harroe”, teksa thotë se ka disa projekte të mbetura në gjysmë, por që nuk e di kur do t’i lansojë.