Falet namazi i Fitër Bajramit

Mëngjesin e hershëm të së premtes është falur namazi i Fitër Bajramit në të gjitha xhamitë e Kosovës.

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Fillimisht është falur namazi i sabahut, pas të cilit, ka filluar ligjërata tematike kushtuar kësaj feste.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka uruar besimtarët për këtë festë ka bërë thirrje për unitet.

Sipas tij, Fitër Bajrami është festa më popullpre që presin gjithë grupmoshat.

“Në këtë mëngjes të bukur jemi mbledhur në xhamitë tona për të festuar Fitër Bajramin, fest që bartë harenë, gëzimin në zemrat e besimtarit. Të gjithë besomtarët urojnë e gëzojnë, ngase për një muaj kanë zbatuar urdhërin e Zotit për agjërim”, ka thënë ai.

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Namazi i Bajramit, sipas fesë islame, është detyrim i domosdoshëm për çdo mysliman, ndërsa koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e Diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit, kurse namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes.

Në mëngjesin e Fitër Bajramit, myslimanët ndjekin lutjet e veçanta në xhami ose vende të jashtme. Namazet pasohen nga një predikim dhe më pas njerëzit shkëmbejnë përshëndetje me njëri-tjetrin.

Në përgjithësi, Fitër Bajrami është një kohë e lumturisë dhe festës së madhe për myslimanët në mbarë botën, pasi ato shënojnë fundin e Ramazanit dhe fillimin e një muaji të ri të mbushur me bekime dhe gëzime.