BE-ja përgatit 100 milionë euro për vendet e prekura nga importi i drithit ukrainas





Bashkimi Evropian ka përgatitur 100 milionë euro kompensim për fermerët në vendet në kufi me Ukrainën dhe planifikon të vendosë kufizime në importin e drithërave ukrainase.

Lajmi u konfirmua sot nga Komisioni Evropian, teksa presioni ndaj BE-së për të zgjidhur çështjen e rënies së çmimeve në territorin e të gjithë bllokut për shkak të importit të drithërave më të lira ukrainase, vjen në rritje.

Komisioni Evropian është përgjegjës për politikën tregtare të bllokut dhe sipas agjencisë, janë duke u përgatitur ato që KE i quajti “masa parandaluese” për kategori të caktuara të drithërave dhe vajrave vegjetale, kryesisht për grurin, misrin, farat e lulediellit dhe farat e rapit.

Polonia dhe Hungaria vendosën ndalimin e importit të disa drithërave nga Ukraina gjatë fundjavës. Sakaq, masa të ngjashme u njoftuan edhe nga disa vende të tjera të Evropës Lindore.

Sipas rregullave, Bashkimi Evropian mund të kufizojë importin e një produkti në bllok ose një pjesë të tij, duke lejuar ende transitin. Komisioneri Evropian i Tregtisë, Valdis Dombrovskis do të diskutojë këtë çështje gjatë mbrëmjes së sotme me ministra nga vendet, tregjet e të cilave janë prekur, duke përfshirë Bullgarinë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë, si dhe homologët ukrainas.