Hasani: Thaçi pranoi ta takojë Kurtin në Hagë, kryeministri nuk shkoi



Autori: Gazeta inFokus


23:17 | 19 April 2023

Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka treguar sonte se i ka shkuar në zyrë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe i ka thënë se duhet të shkojë t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Sipas tij, takimi ka ndodhur para vitit të ri. Hasani u shpreh se i ka treguar Kurtit që e ka obligim qytetar ta bëjë një veprim të tillë, siç e kanë bërë edhe ministrat apo ish-ministrat e tjerë.

Megjithatë, Hasani që ëhtë edhe ish-i burgosur politik dhe një nga themeluesit e UÇK-së, bëri të ditur se ndonëse Kurti i ka thënë ‘po’ që do të shkojë, nuk shkoi në Hagë.

Për një vizitë të tillë, Hasani u shpreh se edhe ish-presidenti Hashim Thaçi ka pranuar, por sipas tij, Kurti ka bërë gabim që nuk ka shkuar.

“Kam qenë tek Albini në zyre, tash para vitit të ri. Kam qenë dhe i kam thënë e ki momentin me shku në vizitë në Hagë. Kanë shkuar filani e fisteku. Ministra e ish-ministra kanë shkuar. E ki obligim qytetar. Nuk bën shkelje politike me shku pavarësisht çfarë thotë politika për hir të inateve. Ka thënë ‘po’ do të shkojë. Tani kam folur me Hashimin, sepse m’i thënë këtij e ai me thënë jo nuk. Bën. Ai pranoi, më tha ‘po’”, tha ai në T7.

“Shkova e i thashë Albin, sepse ashtu i thashë e jo kryeministër pasi më duket shumë i largët. Kështu më dukej edhe në kohën e Thaçit e thirrja në emër. I thashë shko tani se nuk bën shkelje. Pasi kur fillon procesi cilësohet sikur ndërhyrje. Më tha se do të shikojë agjendën pasi kishte takime në Bruksel e do ta mendonte. Por, ai në fund nuk shkoi dhe bëri gabim që nuk shkoi”.