Gara për zgjedhjet në veri, këta janë 11 kandidatët nga katër subjekte

Në Mitrovicë të veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, më 23 prill do të mbahen zgjedhjet për kryetar komune, ndërkaq zgjedhje për kuvende komunale do të zhvillohen në Leposaviq dhe Zveçan.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Në Mitrovicën e veriut janë certifikuar tre kandidatë nga KQZ-ja.

Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Leposaviq janë certifikuar tre kandidatë.

PDK garon me Albulena Behluli – Hetemi, Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Zveçan janë gjithashtu tre kandidatë, Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse në Zubin Potok gara do të zhvillohet mes Izmir Zeqirit nga PDK dhe Flatron Hasanit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Kjo parti politike nuk ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asnjë kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje për kryetar në Mitrovicë të veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, apo për ndonjërën nga dy kuvendet komunale, Zveçan dhe Leposaviq.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës do të përfundojnë të suksesshme.

Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për integrim evropian, Sveçla kishte thënë se Policia e Kosovës dhe e gjithë Ministria e Brendshme janë në dispozicionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar votimet.

“Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë, të sigurt, qoftë për organizatorët, por edhe për vetë qytetarët atje. Janë çështje të vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Jam i bindur që i gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm duke tejkaluar edhe problemet të cilat i përmenda”, kishte thënë Sveçla.

Zgjedhjet po mbahen pasi kryetarët e komunave në veri, bashkë me serbë të tjerë, në nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Zgjedhjet fillimisht ishin paraparë të mbaheshin dhjetorin e kaluar, por u anuluan për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.