Morina: Jemi të vendosur ta barazojmë nesër serinë ndaj Pejës, duam të jemi finalistët e parë

Golden Eagle Ylli dhe Peja e zhvillojnë nesër ndeshjen e dytë në kuadër të gjysmëfinales së Superligës të basketbollit kosovar.

Peja e fitoi ndeshjen e parë që u zhvillua të mërkurën në “Karagaç”, me takimin që përfundoi me rezultat 85-82, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshja e nesërme do të zhvillohet me fillim nga ora 20:30, në Palestrën “13 Qershori” në Suharekë, atje ku përsëri pritet të kemi spektakël dhe rivalitet të madh deri në sekondin e fundit.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, njëri ndër basketbollistët më të dalluar tek Golden Eagle Ylli, Gëzim Morina tha se janë të vendosur për ta barazuar serinë në 1 me 1, pavarësisht mungesave që kanë.

Morina ishte më i miri tek suharekasit në përballjen e parë, duke realizuar 16 pikë dhe tetë kërcime.

Në fazën ku jemi tani numërohen vetëm fitoret dhe fatkeqësisht humbëm ndeshjen e kaluar. Ne besojmë në cilësinë tonë pavarësisht mungesave dhe jemi të vendosur që nesër ta barazojmë serinë“, tha fillimisht Morina.

Më pas, ai u pyet se cilën skuadër do ta dëshironte në finale, Trepçën apo Sigal Prishtinën, gjithmonë nëse arrijnë ta përmbysin Pejën.

I gjithë fokusi ynë në këtë moment është vetëm te Peja dhe ndeshjet që na presin deri në fund të kësaj serie, për ne e vetmja gjë e rëndësishme është që jemi finalistët e parë të këtij edicioni“, përfundoi Morina.

/GazetaBlic Sport/