Tetë diplomatë amerikanë mblidhen në Tiranë, diskutuan për prioritetet e ShBA-ve në Ballkan



Autori: Gazeta inFokus


23:39 | 13 April 2023

Ambasadorët amerikanë në Ballkan janë mbledhur të enjten në Tiranë, në atë që është quajtur si konferenca e parë e Shefave Rajonalë të Misioneve amerikane. 

Nikoqire e takimit ishte ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Përpos ambasadorit Jeffrey Hovenier, të pranishëm ishin edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA në Kroaci, Mark Fleming, ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, ajo në Maqedoni të Veriut, Angela Aggeler, ambasadori i SHBA në Greqi, George Tsunis, ai në Bullgari, Kenneth Merten si dhe ambasadori në Bosnje, Michael Murphy.

Kim tha se ky takim u bë me qëllim që të diskutohet për prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeff Hovenier ka falënderuar ambasadoren Kim për pritjen.

“Ishte një mundësi e mrekullueshme që t’i diskutojmë prioritetet tona rajonale dhe globale, përfshirë invazionin e Rusisë në Ukrainë, mundësitë për energjinë si dhe fuqizimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar Hovenier në Twitter.