Osmani: Mbështetje për paqen dhe stabilitetin, zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme midis Jerevanit dhe Bakut

Statusi i procesit të paqes ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe çështjet humanitare të lidhura me të, si dhe bashkëpunimi me OSBE-në në mbështetje të agjendës së reformave të vendit, ishin në fokus të bisedimeve me Kryeministrin dhe Presidentin e Armenisë, me të cilët Ministri Bujar Osmani u takua sot në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së.

Siç informoi MPJ, Osmani me kryeministrin armen, Nikol Pashinjan, biseduan për qëndrimin e Jerevanit, veçanërisht në lidhje me çështjet e sigurisë, i cili, siç tha Osmani, është pragmatik duke pasur parasysh situatën aktuale.

Ai shtoi gjithashtu se OSBE, si një partner afatgjatë ndërkombëtar i Armenisë, do të kontribuojë në avancimin e perspektivës së paqes.

“Ju siguroj se vizita ime ka për qëllim mbështetjen e paqes dhe stabilitetit, veçanërisht duke pasur parasysh se ende nuk është arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme ndërmjet Jerevanit dhe Bakut”, tha Osmani në takim.

Ai theksoi gjithashtu bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm të vendit me OSBE-në, duke potencuar se e njëjta ka mundësi të thellohet dhe njëherit i kërkoi Pashinyanit mbështetje për një Organizatë plotësisht funksionale, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve të reja që do të ndihmojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqësore.

“OSBE ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me Armeninë në një gamë të gjerë nismash në pesë vitet e fundit si pjesë e ‘Programit të Bashkëpunimit me Armeninë’, dhe e keni mbështetjen time të plotë politike për aktivitete shtesë që do t’i ndihmojnë njerëzit e prekur nga konfliktet” tha Osmani.

Nga MPJ theksoijnë se temat aktuale lidhur me zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të kahmotshme dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të gjitha vendeve u biseduan edhe me Presidentin armen, Vahan Khachaturian, të cilit Osmani i tha se ndërtimi i paqes dhe besimit është me rëndësi të madhe për të gjithë.

“Unë besoj se ka mbështetje nga të gjitha palët për një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe në të gjithë rajonin e Kaukazit Jugor. Jemi të vetëdijshëm se arritja e një zgjidhjeje është një sfidë shumë e vështirë, por gjëja më e rëndësishme është të kërkojmë të ardhmen. E kaluara, sado e dhimbshme dhe e vështirë të jetë, nuk do të sjellë rrugëdalje nga situata”, tha kryesuesi, Osmani.

Me presidentin Haçaturian Osmani diskutoi edhe rreth mbështetjes së OSBE-së si platformë për gjetjen e një zgjidhjeje të plotë dhe gjithëpërfshirëse në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, si kryesuese e OSBE-së, mund të japë një kontribut të dobishëm në ndërtimin e besimit dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Isha i interesuar të mësoja më shumë rreth statusit të diskutimeve mbi perspektivat për paqe. Është e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në qetësimin e tensioneve dhe ne do të vazhdojmë me mbështetje të fuqishme për iniciativat për arritjen e marrëveshjes paqësore”, tha Osmani.

Nga MPJ informojnë se dy takimet me kreun e shtetit të Armenisë ishin në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për situatën e brishtë të sigurisë në terren, por edhe mbështetjen e OSBE-së në përballjen e sfidave të brendshme dhe të jashtme në tre dimensionet e sigurisë që janë në kuadër të mandatit konkret të Organizatës.