Gazetari Valon Syla rreth mesnatës është sulmuar nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist ku temmë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale Hagë, raporton GazetaBlic.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ka dhënë detaje për sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla.
Policia thotë se Syla ka pranuar tretman mjekësor ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me këtë GazetaBlic ka kontaktuar me anëtarën e bordit të AGK-së, Pranvera Behluli e cila theksoi se ky fakt është shumë shqetësues.
Behluli thotë se vetëm në tre muaj të vitit 2023, numri i sulmeve ndaj gazetarëve ka arritur deri në 10, teksa shton se në vitin 2022 ishin të shënuara 33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.
“AGK-ja i ka bërë thirrje thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe që ata të vihen para drejtësisë.AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës, sulmi është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për ta penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”, tha Behluli.
“Është shumë shqetësuese, ngase rastet e sulmeve ndaj gazetarëve janë në rritje. Vetëm në këta 3 muaj e gjysmë të këtij viti kanë ndodhur 10 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, derisa në vitin 2022 janë shënuar 33 raste.AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe që ata të vihen para drejtësisë”, tha Behluli për GazetaBlic.
GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigjen për më shumë detaje edhe nga Prokuroria e Shtetit në lidhje me këtë çështje, por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ku krerët e shtetit kanë bërë thirrje që sulmuesit të dalin sa më shpejt para drejtësisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar këtë sulm.
“Nuk duhet të lejojmë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës. Z. Syla i urojmë shërim të shpejt, ndërsa nga institucionet kërkojmë qe rasti të trajtohet me seriozitetin e dhuru ashtu që autorët sa më parë të vihen pata drejtësisë”, tha Kurti.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se çdo sulm ndaj gazetarëve, fjalës dhe medias së lirë – është sulm ndaj vet shtetit të Kosovës.
“Dënoj fuqishëm sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe bëj thirrje që sulmuesit të arrestohen dhe të dalin sa më parë para drejtësisë. Çdo sulm ndaj gazetarëve, fjalës dhe medias së lirë – është sulm ndaj vet shtetit të Kosovës. Demokracia dhe pluralizmi i mendimeve, tolerimi i tjetrit edhe kur nuk pajtohemi, janë vlerat më të mëdha të shoqërisë dhe vendit tonë, prandaj, askush dhe asgjë nuk ka të drejtë t’i cënojë ato”, tha Krasniqi.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dënuar sulmin e mbrëmshëm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, siç dhe ka kërkuar dhe angazhimin e institucioneve të rendit për vënien para drejtësisë të sulmuesve.
“Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë – shtylla thelbësore të vet demokracisë. Angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit. Prandaj sulmi ndaj gazetarit Syla është sulm ndaj këtij angazhimi. Ftoj organit e rendit dhe drejtësisë të gjejnë sulmuesit dhe të njëjtit t’i vënë para vet drejtësisë.”
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se ky sulm qyqar është i papranueshëm.
“I papranueshëm sulmi qyqar ndaj gazetarit Valon Syla! Apeloj tek organet e rendit që të zbardhin rastin dhe uroj të jetë i fundit! Fjala e lirë është garancë e demokracisë në një shoqëri që aspiron një të ardhme të sigurt”, tha Haradinaj./GazetaBlic/
Haxhiu dënon sulmin ndaj Sylës: I papranueshëm dhe i dënueshëm
Avokati i Popullit: Sulmi ndaj gazetarit Syla i papranueshëm dhe cënim i lirisë së shprehjes